Lidhje me faqet e vjetra të PKG

Faqet e ndërkombëtare të PKG transferohen gradualisht në format të ri. Ju mund të gjeni faqet e mëparshme qe tashmë jane përmirsuar (me të gjitha përbërjet e tyre) në linkun e mëposhtëm.

KKE për çështjen e refugjatëve dhe emigrantëve

«Sipas raportit të fundit vjetor të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, numri i të zhvendosurve me forcë në mbarë botën ka arritur në 122.1 milionë njerëz, një numër që është dyfishuar në dekadën e fundit, për shkak të rritjes së konflikteve të armatosura, të cilat kanë arritur numrin më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në Palestinë, shteti-kriminel i Izraelit po zbaton një plan për të zhvendosur një popull të tërë nga toka e tyre. Madje, këto ditë, kasapi Netanyahu po diskuton me Tramp-in në SHBA konkretisht për këtë plan, me qëllim që ta kthejë Gazën në një Rivierë, me ishuj artificialë të tipit Dubai, dhe të avancojë planet energjetike, tregtare dhe të tjera në rajon mbi kufomat e fëmijëve, grave dhe të moshuarve. Dhe, që të realizohet kjo, të gjithë palestinezët duhet të zhvendosen.»

Këto u theksuan, ndër të tjera, nga Dhimitri Kucubas, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), gjatë një diskutimi përkatës në parlamentin grek dhe shtoi:

«E vërteta është se sot intensiteti i represionit kundër refugjatëve të zhvendosur po merr dimensione të reja, të tmerrshme, dhe kjo politikë po çon gjithashtu në bllokimin e tyre.

Që nga SHBA-të e deri te Bashkimi Europian, po hartohen plane për deportime të dhunshme të miliona refugjatëve dhe emigrantëve, po ngrihen kampe të reja përqendrimi, po legalizohen "kthimet mbrapsht" dhe po kultivohet urrejtje raciste dhe ksenofobe.

Pakti i ri i BE-së për Migracionin dhe Azilin, i votuar nga qeveritë socialdemokrate, neo-liberale dhe të ekstremit të djathtë, po fillon të zbatohet nga shtetet anëtare të BE-së, duke parashikuar vuajtje të reja e të mëdha për refugjatët e çrrënjosur, duke shprehur autoritarizëm dhe terrorizëm kundër popujve.

Qeveria e ND po promovon të ashtuquajturin projektligj për kthimin mbrapsht, i cili përfshin masa të reja reaksionare kundër refugjatëve dhe emigrantëve dhe hap shtigje të rrezikshme në dëm të popullit tonë në tërësi. (…)

Dhe, sigurisht, është BE-ja e kthimit mbrapsht të refugjatëve, e deportimeve, e bllokimit dhe represionit kundër refugjatëve dhe emigrantëve.

Ata që këmbëngulin ta shpëlajnë këtë strukturë të kalbur dhe reaksionare, ata që këmbëngulin ta paraqesin atë si pjesë të zgjidhjes, ndërsa ajo është një faktor bazë në çdo problem popullor, ndoshta ata vetë po luajnë një rol të pistë ndaj popullit. (...)

Në këto kushte, po përgatitet terreni që forcat e ndryshme të ekstremit të djathtë dhe fashiste të derdhin helmin e tyre ksenofobik dhe racist.

Partia Komuniste e Greqisë (KKE) i bën thirrje popullit grek të jetë vigjilent dhe i përgatitur. Të forcojë luftën e tij kundër luftës dhe përfshirjes së vendit tonë. Të forcojë solidaritetin e tij ndaj të gjitha viktimave të luftërave, ndaj qindra mijërave refugjatëve dhe emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në kushte të mjerueshme në Greqi. Të luftojë kundër planeve për represione edhe më të mëdha kundër tyre. Për ti mbyllur gojën të gjithë atyre që, nga njëra anë po përpiqen të marrin pëlqimin e popullit për përfshirjen e vendit në luftë, dhe nga ana tjetër, po përpiqen t'i paraqesin refugjatët dhe emigrantët si "kriminelë" dhe "armiq". (…)

Por, zgjidhja e vërtetë dhe rrugëdalja për popullin ndodhet larg këtij burgu të BE-së, larg aventurizmit të luftës, planeve luftënxitëse të SHBA-ve dhe NATO-s, jashtë këtij sistemi kapitalist të korruptuar dhe të kalbur, i cili lind vetëm shfrytëzim, luftëra, refugjatë dhe varfëri.»

 

 

 

11.07.2025