Lidhje me faqet e vjetra të PKG
Grevë e punëtorëve të portit, pas vdekjes së punëtorit, për masat mbrojtëse në vendet e punës
Punonjësit e portit hynë në një grevë të re të vazhdueshme 24-orëshe më 27/10 në kalatat II dhe III të Stacionit të Kontejnerëve në portin e Pireut, duke intensifikuar përpjekjet e tyre për marrjen dhe respektimin e të gjitha masave të nevojshme të mbrojtëse në vendet e punës. Që të ndalojnë së qeni kurth vdekjeje kjo galerë emblematike e monopolit kinez të COSCO.
Greva filloi pas vdekjes së një punëtorit 45-vjeçar, e cila ndodhi në pasditen e së hënës së kaluar, ku një urë vinçi e preu punëtorin në mes.
Pa u tharë ende gjaku i punëtorit të vrarë në shinat e portit, kompania bëri të qartë se nuk do të jepte asnjë qindarkë për të mbrojtur jetën e punëtorëve, duke u mbështetur mbi kuadrin legjislativ reaksionar "pro-investues" të formuar nga Qeveritë e klasës borgjeze greke, si nga qeveria aktuale e djathtë liberale ND, ashtu dhe nga ajo e së kaluarës së "majtë" socialdemokrate SYRIZA, ligje që shtypin të drejtat e punës.
Punëtorët e portit kërkojnë marrëveshje kolektive, masa mbrojtëse për jetën, më shumë personel për të ndaluar intensifikimin e punës. Megjithatë, punëdhënësit e bërën të qartë se punëtorët janë “për konsum”, për të vazhduar të regjistrojnë fitime të mëdha. Është karakteristike se vetëm në gjysmën e parë të vitit 2021 xhiroja e punës së kompanisë ishte 72 milionë euro, e rritur me shifra 8,3% krahasuar me periudhën korresponduese të mëparshme, ndërsa fitimet e saj në këta 6 muaj arritën në 20,84 milionë euro!
Në krah të punëtorëve të portit ishin Dhiamado Manolaku, anëtare e KQ të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) dhe deputete e Partisë, si dhe një sërë sindikatash të qytetit, si Sindikata e Industrisë së Metalit dhe Anijeve të Atikës, Qendra Punëtore e Pireut, dhe dhjetëra sindikata e forume masive të tjera.
Përmes një deklarate të tij, Fronti Militant Mbar-punëtorë (PAME) shpreh solidaritetin e tij me luftën e punëtorëve të portit dhe ndër të tjera vë në dukje: «Kjo galerë punësimi, mesjeta moderne në geton e kompanisë që qeveria i dha të gjithë portin e Pireut, vërteton për të shumtën herë se fitimet, investimet dhe zhvillimi i kompanive të biznesit vaditen nga gjaku i punëtorëve. Këtë xhungël punësimi të intensifikimit të punës, të punës ditë e natë për një kafshatë të thatë buke, puna e papaguar jashtë orarit deri në vdekje, pa masa për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të punëtorëve, me mekanizma kontrolli inekzistente, pikërisht këto erdhi të legjitimonte ligji i Haxidhakis», që është ligji i fundit antipunëtor, i cili u votua në parlamentin grek. PAME kërkon që «të mbajnë përgjegjësi fajtorët për këtë krim të ri të punëdhënësve. Të merren të gjitha masat për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve në kalatat e COSCO-s dhe në çdo vend pune»._
27.10.2021