Lidhje me faqet e vjetra të PKG

Faqet e ndërkombëtare të PKG transferohen gradualisht në format të ri. Ju mund të gjeni faqet e mëparshme qe tashmë jane përmirsuar (me të gjitha përbërjet e tyre) në linkun e mëposhtëm.

ARTIKULL I DEPARTAMENTIT TË MARRËDHËNIEVE NDËRKOMBËTARE TË K.Q TË KKE

Ndikimi i «AUKUS» në zhvillimet ndërkombëtare dhe qëndrimi i komunistëve

Aleanca trepalëshe e “sigurisë” midis Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, nën emrin «AUKUS», e shpallur më dt. 15.9.2021, përbëri një zhvillim të ri e të rëndësishëm në strukturën e aleancave imperialiste.

Por, çfarë do të thotë ky zhvillim dhe çfarë detyrash shtesë lindin për lëvizjen komuniste?

 

Rëndësia e rajonit Indo-Paqësor

Edhe pse marrëveshja e re u lidh midis 3 fuqive jo-aziatike, njëkohësisht është e qartë se ajo fokusohet në aktivizimin e këtyre forcave në rajonin e Azisë dhe në rajonin e gjerë të Indo-Paqësorit ku prodhohet 60% të PBB-së botërore dhe vlerësohet se në vitet e ardhshme do të tërheqi 70% të kërkesës për energji. Një zonë që tashmë përbën “korridor” të rëndësishëm për lundrimin tregtar global, dhe është karakteristike se me të dhënat e vitit 2017, 40% e tregtisë botërore të gazit natyror të lëngshëm (LNG) kryhej përmes saj.

Tashmë një pjesë e madhe e Marinës dhe Forcave Ajrore të SHBA është transferuar në Oqeanin Paqësor. Po ndërtohen aty baza të reja ushtarake amerikane dhe po zhvillohen stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë.

Në të njëjtin rajon ka mosmarrëveshje të vazhdueshme për kufijtë detarë dhe tokësorë, ku duket qartë se Kina kërkon të sfidojë të drejtën ndërkombëtare të detit dhe të drejtat sovrane të shteteve të rajonit, si p.sh. të Vietnamit. Duke folur në sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të këtij viti, Presidenti i Vietnamit, Nguyễn Xuân Phúc u bëri thirrje shteteve të rajonit të shmangin veprimet e njëanshme në Detin Lindor (ose ndryshe Detin e Kinës Jugore), duke nënvizuar Ligjin e Detit {1}. Disa ditë më parë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme vietnameze, Le Thi Thu Hang, kishte theksuar se Vietnami do të mbrojë ishujt në arkipelagun Hoagsa dhe Chongxa, sovraniteti i të cilëve refuzohet nga Kina {2}.

Pra, nuk ishte aspak e rastësishme vizita e zëvendës-presidentes amerikane, Kamala Harris, në Vietnam dhe në shtetet e tjera të rajonit. Kujtojmë se që nga viti 2016, pas apelit të njëanshëm nga Filipinet, ka një vendim të gjykatës së Hagës që hedh poshtë pretendimet kineze, një vendim ky që, megjithatë, Kina nuk e njeh, me arsyetimin se është një çështje e sovranitetit kombëtar në të cilin gjykata e Hagës nuk ka juridiksion.

SHBA-të po kërkojnë për të shumtën herë të vendosen si "mbrojtës të vetë-emëruar" të popujve, këtë herë për këtë rajon, përballë planeve të zgjerimit të monopoleve kineze dhe aspiratave të Kinës në Azinë Juglindore. Po bëhet e qartë se konflikti nuk mund t'i lërë "jashtë tablosë" mjetet e luftës. SHBA-të, gjithashtu, janë forca ushtarake më e fuqishme sot, ndërsa Kina, me një ritëm të shpejtë në shpenzimet e saj ushtarake po kërkon që ta mbulojë këtë boshllëk. Tërheqja e fundit e SHBA-ve nga Afganistani dhe e raketave amerikane «Patriot» nga Arabia Saudite synon, mes të tjerave, në ri-pozicionimin e forcat ushtarake amerikane në mënyrë që të forcojë praninë amerikane në ujërat e Indo-Paqësorit.

Gjithashtu, në vitet e fundit është forcuar bashkëpunimi midis SHBA-ve, Indisë, Japonisë dhe Australisë me formën e «Kuartetit të Dialogut për Sigurinë» (QUAD), duke vënë qartë në shënjestër Kinën, gjë që u pa edhe në stërvitjet ushtarake «Malabar» që kryen këto shtete  në 2 vitet e mëparshme. Këto stërvitje u konsideruan si shtylla e të ashtuquajturit «versioni aziatik i NATO-s» dhe u vendos hapur qëllimi për të përballuar ndikimin ushtarak dhe politik të Kinës në rajon.

Vëmendja përqendrohet në ngushticat e Tajvanit, po synohet të zgjerohen aleancat nga të dyja palët, dhe po shfrytëzohen ideologjitë e "demokracisë", të "vetëvendosjes", apo të integritetit territorial. Strategjia NATO-2030 forcon orientimin kundër Kinës.

Mbi këtë terren u krijua marrëveshja «AUKUS».

 

Lufta për supremacinë e sistemit imperialist

Aleancën e re të ndërtuar nga SHBA-të ka një qëllim të qartë, që nuk është askush tjetër veçse Kina, e cila sot, objektivisht, po formon parakushtet për të kërcënuar supremacinë e SHBA-ve në sistemin imperialist ndërkombëtar në vitet e ardhshme.

Nuk është rastësi që CIA ngriti një qendër speciale vëzhgimi për Kinën. Dinamika reflektohet në rritjen e ndjeshme të pjesës së Kinës në Produktin Botëror në periudhën 2000-2020, si dhe në rritjen spektakolare të deficitit tregtar të SHBA-ve në tregtinë dypalëshe me Kinën (në periudhën 1985-2019). Mbi këtë bazë gjatë gjithë kësaj kohe patëm një sërë “luftërash” tregtare ku SHBA-të dhanë një rëndësi të veçantë ruajtjes së dominimit të tyre në nivelin e teknologjisë së re dhe në të njëjtën kohë në kufizimin e përhapjes së Kinës në këtë sektor, që do të thotë njëkohësisht, forcimin e ndikimit të saj politik (p.sh. përpjekjet e intensifikuara për të përjashtuar Kinën nga rrjetet 5G në Europë). Përveç kësaj, qeveria e SHBA-ve, duke shfrytëzuar reduktimin e madh të taksave mbi kapitalin, u bëri thirrje monopoleve të teknologjisë së re amerikane që operojnë në Kinë për ta braktisur atë ose të riatdhesohen në SHBA. Promovon interesat e veta dhe përpiqet të pengojë zgjerimin e Kinës e cila po zbaton projektin e «Rrugës së Mëndafshit», eksporton shuma të mëdha kapitali dhe kryen investime të mëdha në shtete të tjera, në Azi, në Afrikë dhe rajone të tjera.

Fakti që po kryhet luftë midis SHBA-ve dhe Kinës për supremacinë botërore tashmë nuk refuzohet. Çështja që kërkon një fokusim është nëse kemi të bëjmë me një “luftë të ftohtë” të re, me një përballje të një superfuqie kapitaliste me një force tjetër socialiste, qoftë dhe me “karakteristika kineze”. Por, realiteti, është se po flasim për SHBA-të dhe Kinën, pra për dy fuqitë e botës së sotme kapitaliste. Kina është sot një bazë e fortë e grupeve monopoliste, një anëtare aktive e çdo unioni kapitalist ndërkombëtar, siç është Organizata Botërore e Tregtisë, Banka Botërore; ajo është e lidhur ngushtë me ekonominë kapitaliste globale. «Firmat Shumëkombëshe përbëjnë një shtytës jetik për qarkullimin e brendshëm të Kinës» {3}.

Fakti se në Kinë qeveris një parti me titullin "komuniste" nuk e ndryshon faktin që aty dominojnë marrëdhëniet kapitaliste të prodhimit. Duke filluar që nga viti 2012 e deri më sot, në mënyrë të qëndrueshme mbi 60% e PBB-së së Kinës prodhohet nga sektori privat {4}. Një kuadër ligjor i ngjashëm në favor të kapitalistëve është vendosur edhe në Kinë, gjë që i lejon ata të shfrytëzojnë qindra miliona punëtorë për të grumbulluar pasurinë e tyre. Kina është në “garë” me SHBA-të dhe në sasinë e personave miliarderë. Siç na informon Instituti i Kërkimeve Hurun i Shangai-t, në fillim të vitit 2021 Kina ishte shteti i parë në botë, ku numri i personave miliarderëve e kaloi shifrën 1000, duke arritur në 1058 persona miliarderë {5}. Miliarderët në Kinë kontrollojnë grupe kolosale të tregtisë elektronike, fabrika, hotele, qendra tregtar, kinematografi, media sociale interneti, kompani celulare etj. Miliarderi më i pasur i Kinës, Zhong Shanshan, i cili u pasurua nga industria e ujit të rafinuar në shishe, ka një pasuri personale prej 67.3 miliardë dollarë, ndërsa pasuria e të dytit në të njëjtën listë, Ma Huateng, që merret me teknologjitë e reja dhe u zgjodh anëtar i parlamentit, pra i Kongresit Popullor Kombëtar, arrin në 46 miliardë dollarë {6}. Të gjitha këto kur dhjetëra miliona njerëz janë të përjashtuar nga shërbimet sociale moderne, luksi i miliarderëve dhe milionerëve tregon qartë padrejtësinë dhe shfrytëzimin e madh shoqëror që karakterizon mënyrën kapitaliste të prodhimit në Kinë. Ndërsa, në mënyrë paralele, monopolet kineze, ashtu siç bëjnë monopolet e të gjitha origjinave, shfrytëzojnë klasën punëtore në kompanitë e tyre jashtë vendit, siç bën gjigandi i anijeve Cosco në Greqi, në portin e qytetit të Pireut, ku punëtorët organizuan një grevë shumëditore në nder të punëtorit të vrarë së fundmi aty në vendin e punës, duke kërkuar masa sigurie dhe mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe ku pronarët u përgjigjën me shantazhe dhe apel në gjykatat civile për ta shpallur grevën të paligjshme.

Pretendimet që thonë se Kina, ashtu si dikur Rusia Sovjetike, zbaton një lloj NEP-i (Politika e Re Ekonomike), në bashkëpunim me kapitalin privat, për të zhvilluar forcat e saj prodhuese, nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe përbëjnë mashtrime.

Të dhënat e mësipërme vërtetojnë se objektivisht, nuk ka asnjë bazë për të krahasuar NEP-in me situatën aktuale në Kinë. Për më tepër, kohëzgjatja e NEP-it ishte e kufizuar dhe kishte karakterin e "tërheqjes", siç theksonte vazhdimisht Lenini {7}, dhe nuk u ideologjizua si një element i ndërtimit socialist, siç bëhet me mbizotërimin e marrëdhënieve kapitaliste në Kinë, me ideologjinë e «socializmit me karakteristika kineze». Për më tepër, gjatë periudhës së NEP-it në BRSS, biznesmenët jo vetëm që nuk u lejuan të ishin anëtarë të Partisë Bolshevike, por në bazën e të dyja Kushtetutave Sovjetike (1918 dhe 1925) të miratuara në atë periudhë, biznesmenët u privuan nga të drejtat e tyre politike, në kundërshtim me Kinën e sotme, ku dhjetëra biznesmenë mbajnë mandate në parlament dhe Partinë Komuniste.

Kjo është arsyeja pse "dy-polariteti" i ri nuk ka të bëjë fare me konfrontimin SHBA-BRSS. Sot, SHBA-të dhe Kina janë në konfrontim për dominimin e marrëdhënieve kapitaliste të prodhimit të cilat dominojnë në këto dy shtete dhe çojnë në luftë për lëndët e para, për rrugët e transportit të mallrave, për pjesët e tregut, për ndikimin gjeopolitik, diçka që nuk mund ta fshehë faktin se kemi të bëjmë me një luftë ndër-imperialiste për epërsinë në sistemin imperialist.

 

"AUKUS" – një «levë» tjetër e luftës imperialiste

 "AUKUS" përcakton një "gamë" të zgjeruar bashkëpunimi që nis nga diplomacia dhe mbrojtja, e gjer tek zinxhirët e furnizimit dhe inteligjenca artificiale. Megjithatë, pesha e vëmendjes në këtë marrëveshje ra në faktin se SHBA-të dhe Britania do t'i japin Australisë "çelësat" e teknologjisë bërthamore, duke shkelur marrëveshjet përkatëse për mospërhapje të teknologjisë bërthamore për qëllime ushtarake dhe duke i shitur asaj 8 nëndetëse me energji bërthamore, të cilat do ta bëjnë atë vendin e shtatë në botë që ka nëndetëse të tilla, pas SHBA-së (71), Rusisë (33), Kinës (14), Britanisë (11), Francës (10) dhe Indisë (2).

Marrja e nëndetëseve të tilla nga Australia do t'i mundësojë asaj pjesëmarrjen në operacionet detare larg territorit të saj, pra në rajonin Indo-Paqësorit, ku përqendrohet vëzhgimi i SHBA-ve dhe NATO-s, pasi këto nëndetëse janë pothuajse të pazhurmë dhe munden që të udhëtojnë në distanca të gjata pa pasur nevojë të ri-furnizohen me karburant.

Për më tepër, SHBA-të po fitojnë mundësinë për të zgjeruar bazat e tyre ushtarake aeronautike në Australi. Tashmë aty gjenden disa mijëra trupa amerikane. Infrastruktura që po përgatitet ka të bëjë me mundësinë e ankorimit të aeroplanmbajtësve, nëndetëseve bërthamore dhe bombarduesve strategjikë.

 

Lëkundjet në NATO-BE dhe "autonomia strategjike" e BE-së dhe fuqive të tjera të mëdha

Marrëveshja AUKUS ishte në gjendje të "trazonte ujërat" e aleancave "të qëndrueshme" të imperializmit euroatlantik, të NATO-s, të marrëdhënieve SHBA - BE dhe në veçanti me Francën. Kjo e fundit reagoi, duke e cilësuar si “thikë pas shpine” anulimin e porosisë për furnizimin me 12 nëndetëse konvencionale me vlerë rreth 56 miliardë euro.

Menjëherë pas marrëveshjes, për të shumtën herë, në media të ndryshme mbizotëruan një sërë vlerësimesh mashtruese, si p.sh. SHBA-të po tërhiqet nga shumë zona, se që të kemi paqe duhet "autonomia strategjike" e BE-së dhe palëve të tjera, si p.sh e Indisë, e cila në të kaluarën kishte përparuar si "e paangazhuar".

Realiteti, megjithatë, është krejt ndryshe. SHBA-të po ri-dislokojnë (ri-pozicionojnë) forcat e tyre ushtarake. Kështu p.sh., jo vetëm që nuk largohen nga Greqia, por po i forcojnë bazat e tyre ushtarake aty, zgjerojnë bazën ajrore të Sudës në ishullin e Kretës që është përdorur në luftërat imperialiste kundër Irakut, Sirisë dhe Libisë, krijojnë infrastruktura të reja ushtarake (në Aleksandrupoli, Larisa, Stefanovikio etj. në Greqi), ndërsa me marrëveshjen greko-amerikane të nënshkruar më dt. 14 tetor 2021 munden të shfrytëzojnë fillimisht për një periudhë 5-vjeçare dhe më pas ta shfrytëzojnë pa-afat kohor të gjithë infrastrukturën ushtarake të Greqisë.

Nuk ka asnjë bazë as argumentin që thotë se një BE "më e fortë" dhe më e pavarur mund të garantojë efektivisht paqen si një "faktor balancues" në konfliktin SHBA, Kinë dhe Rusi.

BE-ja është një aleancë e klasave borgjeze të Europës, e cila kthehet si në dëm të popujve të Europës, ashtu dhe në dëm të popujve të tjerë. Kështu që, militarizimi i BE-së thellohet paralelisht me intensifikimin e rivaliteteve imperialiste, duke i zhytur popujt në rreziqe të reja e më të mëdha, për të siguruar interesat e monopoleve.

Ky militarizim fill së pari është i orientuar drejt brendësisë së Europës, për të mbytur çdo fjalë radikale, për të shtypur çdo pretendim për një jetë më të mirë, veçanërisht kur kjo ka të bëjë me nevojat moderne popullore që është e drejtuar kundër kapitalit, përfitimit, apo edhe pushtetit të tij.

Për më tepër, BE-ja e trajton globin si "mjedisin e saj strategjik", bazuar në Strategjinë Globale që ka krijuar dhe po përgatitet të përditësohet me emrin "Busulla Strategjike" dhe miratimi i saj nga Presidenca e ardhshme Franceze. BE-ja, gjithashtu, kërkon depërtim më efektiv të monopoleve europiane në vendet e treta me pretekstin e gjoja mbrojtjes të së drejtave të njeriut. Kështu, u krijua i ashtuquajturi "Bashkëpunimi i Përhershëm i Strukturuar Ushtarak" (PESCO). Njëkohësisht promovohet “Iniciativa Europiane e Ndërhyrjes” një frymëzim ky francez, për të kapërcyer vonesat e shkaktuara nga procesi i vendimmarrjes unanime, në mënyrë që misionet imperialiste të kryhen menjëherë, pa vonesa. Tashmë, sot, BE-ja ka vendosur 20 misione {8} imperialiste në tre kontinente.

Po merren masa për të avancuar objektivin e të ashtuquajturës “Autonomi Strategjike” në kuadër të forcimit të aleancës dhe ndërhyrjeve të përbashkëta me NATO-n, e cila mbetet shtylla e saj kryesore. Duke synuar kompetenca ushtarake autonome, forcohet planifikimi për zhvillimin e programeve kërkimore dhe i armatimeve nga tregu i BE-së, në një përpjekje për të reduktuar varësinë nga tregu i armatimeve të SHBA.

Partia Komuniste e Greqisë (KKE), duke studiuar historinë e vet, si edhe historinë e lëvizjes komuniste ndërkombëtare, ka arritur në përfundimin se ishte opsion i gabuar ai që mbizotëronte në të kaluarën në linjat e lëvizjes komuniste ndërkombëtare, e cila i karakterizonte, madje, dhe shtetet e fuqishme kapitaliste, si "të varura" dhe "koloni" të SHBA-ve, dhe u bënte thirrje për "pavarësinë" e politikës së tyre të jashtme. Ky opsion i gabuar, në disa raste e ndante klasën borgjeze në "patriotike" dhe atë "kompradore", duke pritur aleancë me pjesën e ashtuquajtur "patriotike" të borgjezisë. Në fakt, klasa borgjeze e çdo shteti promovon interesat e veta, para së gjithash për të konsoliduar pushtetin e vet dhe mbi këtë bazë formon edhe aleancat e saj ndërkombëtare. Ekzistenca e BRSS dhe e shteteve të tjera socialiste në të kaluarën i dha mundësinë klasave borgjeze të disa shteteve kapitaliste të manovrojnë, ndërsa për disa të tjera i kufizonte këto mundësi. Sot nga shumë palë duartrokitet në shumë mënyra e ashtuquajtura bota multipolare, ndërsa disa i bëjnë thirrje BE-së, apo shteteve të Europës, që të mos jenë më “të nënshtruara” ndaj SHBA-ve, të veprojnë “në mënyrë të pavarur”, në bazë të interesave të tyre.

Perceptime të tilla, pavarësisht nga qëllimi që kanë, zbukurojnë ideologjikisht barbarizmin imperialist botëror, pasi besojnë se kjo mundet të ndryshojë pa përmbysjen e nevojshme të kapitalizmit. Ata refuzojnë konceptin leninist të imperializmit, duke shkëputur ekonominë nga politika. Për këto forca, imperializmi është veprimi politik dhe ushtarak i forcave më “agresive” kundër “sovranitetit kombëtar” të shteteve të tjera. Kështu ata e injorojnë faktin se është konkurrenca monopole ajo që çon në ndërhyrje dhe luftëra ushtarake imperialiste dhe jo disa "forca më agresive". Ky antagonizëm realizohet me të gjitha mjetet që disponon çdo pushtet kapitalist në çdo shtet dhe sigurisht që pasqyrohen në marrëveshjet ndërshtetërore dhe në aleanca të ndryshme. Brenda këtyre aleancave, klasat borgjeze lëshojnë një pjesë të sovranitetit kombëtar, të së drejtave sovrane të shteteve të tyre, për të siguruar pushtetin e tyre, gjithmonë duke pritur fitime të reja. Në të njëjtën kohë ato lëvizin edhe me mjete lufte, pasi «lufta është vazhdimi i politikës me mjete të dhunshme».

 

Pse SHBA-të zgjedhin taktikën e rrezikshme të «aleancave të buta»

Akuzat se NATO, ose QUAD po lëkunden, pas formimit të AUKUS-it, janë të pabaza. NATO, me gjithë kontradiktat që shfaqen në brendësi e saj, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm si një “krahu” i imperializmit euroatlantik. Kështu, ΝΑΤΟ po “rrethon” vazhdimisht Rusinë duke transferuar forca të reja drejt kufijve rus, duke sfiduar sovranitetin rus mbi Krimenë dhe Detin e Zi, duke shfrytëzuar në mënyrë provokatore konfliktin në Ukrainë, duke kërcënuar Rusinë me përdorimin e armëve bërthamore {9}. Për më tepër, NATO tashmë ka shënuar linjë konfrontimi me Kinën.

QUAD ndërmerr një rol të veçantë në linjën e "frenimit" të Kinës. Secila nga klasat borgjeze të shteteve që e përbëjnë atë (Australia, Japonia, India, SHBA-të), për arsyet e veta, gjendet në kushte konkurrence me monopolet e Kinës. Njëkohësisht ekzistenca e saj u mundëson disave prej tyre, siç është klasa borgjeze e Indisë, e cila merr pjesë në të njëjtën kohë edhe në unione të tjera, si Organizmi i Bashkëpunimit të Shangait dhe BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut) dhe e cila është një nga blerëset më të mëdha të armëve ruse, të jetë në gjendje të manovrojë, por në të njëjtën kohë të jetë edhe pjesë e planit të përgjithshëm amerikan për të ndryshuar dinamikën, që sot favorizon Kinën.

Pra, po formohen “ritme” të ndryshme në thellimin e bashkëpunimit të SHBA-ve me klasat borgjeze të tjera të rajonit, përmes formave më të “lirshme” si QUAD dhe forma më të avancuara si AUKUS, por gjithmonë me të njëjtin synim dhe në një përpjekje për të shmangur një konfrontim të ashpër të prerë që do të vështirësonte aleancat e SHBA-ve në rajon.

Përveç kësaj, heqja e sanksioneve të SHBA-ve për ndërtimin e gazsjellësit rus «Nord Stream 2», i cili përfundon në Gjermani, është vlerësuar si "karotë" në përpjekjen e SHBA-ve për të forcuar marrëdhëniet me BE-në dhe "komponentin" europian të euroatlantizmit, përballë polemikës së madhe me Kinën, këtë e mbështet edhe shpallja e marrëveshjes BE-SHBA për heqjen e tarifave për çelikun dhe aluminin.

Krijimi i AUKUS-it tregon se SHBA-të mund të përdorin në të njëjtin drejtim edhe “kamxhikun” në formësimin e aleancave të tyre.

 

Detyrat e komunistëve

Nga palë të ndryshme ngrihet si kërkesë për shmangien e luftës «respektimi i së drejtës ndërkombëtare», ndërkohë që po nisin fushata të ndryshme me slogane si «larg duart nga Rusia dhe Kina», apo edhe në mbrojtje të Kinës “socialiste”.

Kjo qasje duket se injoron elementët kryesorë, si për shembull që e drejta ndërkombëtare sot është bërë si llastik dhe interpretohet ashtu siç e shohin të arsyeshme. Kështu, SHBA-të, të cilat kurrë nuk e nënshkruan Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit të miratuar në vitin 1982, na shfaqen sot në Detin Lindor (ose Detin e Kinës Jugore) si mbrojtësit e saj më të fortë. Nga ana tjetër, Kina, e cila ka ratifikuar tekstin specifik të Marrëveshjes Ndërkombëtare, po e minon atë çdo ditë në dëm të shteteve të rajonit (Vietnamit, Filipine, Indonezisë, Malajzisë, Bruneit). Domethënë, ajo që përcakton qëndrimin ndaj së drejtës ndërkombëtare është korrelacioni i forcave dhe aspiratat gjeostrategjike.

Për më tepër, perceptimi që i paraqet SHBA-të si një fuqi që shkel në mënyrë të njëanshme të drejtën ndërkombëtare dhe si rrjedhojë si palë sulmuese dhe "imperialiste", dhe Kinën, Rusinë si "mbrojtëse" dhe "anti-imperialiste", nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Të gjitha fuqitë e mësipërme të botës moderne imperialiste, në raste të ndryshme dhe për promovimin e interesave të monopoleve të tyre, e interpretojnë të drejtën ndërkombëtare ashtu siç u përshtatet dhe veprojnë në përputhje me rrethanat. Prandaj, konceptimi i mësipërm nuk ka të bëjë fare me konceptin leninist të imperializmit, i cili qartësisht nuk është thjesht një politikë e jashtme agresive, por kapitalizmi monopol. Nuk ka të bëjë fare me perceptimin e udhëheqësit të Revolucionit të Tetorit për luftërat dhe shkaqet e tyre, me karakterin e tyre. Lenini në raste të tilla i qortonte këto pikëpamje, duke thënë : «Sikur puna qëndron në faktin - kush ka sulmuar i pari, dhe jo në atë, se cilat janë shkaqet e luftës, qëllimet që ajo i vë vehtes dhe klasat që e bëjnë këtë» {10}.

Komunistët, pra, nuk duhet të ngecin në kurthin e vizioneve që me dashje apo pa dashje e fusin në kurth lëvizjen popullore në pozicione pacifiste pa rrugëdalje, duke u bërë thirrje klasave borgjeze apo unioneve imperialiste, si BE-ja, të tregojnë "autonomi" ose të fshehin karakterin e saj imperialist për supremaci globale, duke bërë thirrje, së fundmi, për të zgjedhur një krah në këtë konflikt.

Dilema e cila shfaqet përpara komunistëve për të zgjedhur një nga imperialistët nuk është diçka e re. Siç e njohim, ajo u ngrit fuqishëm gjatë Luftës së Parë Botërore dhe çoi në shpërbërjen e Internacionales së Dytë. Në atë kohë, ndër të tjera, «social-shovinistët francezë u vërtetonin [punëtorëve] se shtetet e Antantës ishin "krahu mbrojtës", "bartësit e përparimit" në luftën kundër prusianizmit agresiv» {11}. Sot, disa forca në linjat e lëvizjes punëtore dhe komuniste ndërkombëtare po na bëjnë thirrje që të mbështesim Kinën në përballjen e re ndër-imperialiste, të cilën e konsiderojnë “socialiste me karakteristika kineze”, duke shtrembëruar apo shpërfillur realitetin dhe botëkuptimin tonë.

Në këto rrethana, është e rëndësishme jo vetëm të kundërshtosh luftën imperialiste, por dhe kundër zgjedhjes së "ngjyrës" së një imperialisti, kundër çdo aleance të vjetër apo të re imperialiste, për shkëputjen e çdo shteti nga planet dhe aleancat imperialiste, luftë për pushtetin punëtorë, për socializmin.

Në këtë drejtim, Partia Komuniste e Greqisë (KKE) në parlamentin e Greqisë votoi kundër të ashtuquajturës “marrëveshje mbrojtëse” të Greqisë me SHBA-të dhe Francën. KKE qëndroi kundër shpenzimeve kolosale ushtarake të Greqisë dhe vuri në dukje se këto bëhen në kuadër të përpjekjeve të klasës borgjeze të Greqisë për të përmirësuar pozicionin e saj brenda planeve dhe organizatave imperialiste.

Komunistët ndriçojnë në mënyrë sistematike popullin dhe mobilizojnë mijëra punëtorë, të rinj e të reja në demonstrata.

KKE udhëheq lëvizjen anti-luftë - antiimperialiste, në përgjithësi në lëvizjen punëtore dhe popullore, që të mos krijohen baza të reja ushtarake në Greqi, për të shporrur të gjitha bazat dhe infrastrukturën NATO-amerikane, që të mos transferohen armët bërthamore në Greqi.

KKE kërkon me këmbëngulje që të ndërpritet pjesëmarrja e forcave të armatosura greke në misionet imperialiste jashtë kufijve, të mos paguajë populli për pajisjet që u shërbejnë planeve agresive të klasës borgjeze greke, ndërhyrjeve dhe luftërave euroatlantike, që Greqia të mos marrë pjesë në stërvitjet ushtarake që drejtohen kundër shteteve të tjera.

Partia Komuniste e Greqisë (KKE) synon të forcojë solidaritetin ndërkombëtar me të gjithë popujt që po luftojnë dhe po përballen me ndërhyrjet dhe luftërat imperialiste.

Gjithashtu lufton për shkëputjen e Greqisë nga aleancat imperialiste të NATO-s dhe BE-së, duke besuar se kjo mund të sigurohet në dobi të interesave popullore nga pushteti punëtor, lufta për përmbysjen e kapitalizmit dhe ndërtimit të socializmit-komunizmi.

---------------------------------------------------

{1}. Agencia e Lajmeve Tass, https://tass.ru/ në datën 25/09/2021  

{2}. Reagimi i Vietnamit në zbatimin nga ana e Kinës të ligjit të korrigjuar për sigurinë e lundrimit detar. Burimi «Zëri i Vietnamit» https://vovworld.vn/, dt. 02/09/2021   

{3}. Titull në artikullin e gazetës Zenmin Zibao (E Përditshmja Popullore) http://en.people.cn,  dt.19/07/2021

{4}. Gazeta Zenmin Zimbao (E përditshmja Popullore),  http://russian.people.com.cn, dt. 06/03/2019

{5}. Agjencia INTERFAX https://www.interfax.ru, dt. 02/03/2021

{6}. Gazeta Zenmin Zimbao (e Përditshmja Popullore). http://russian.people.com.cn, dt. 29/10/2021

{7}. V.I. Lenin «Kongresi i 9-të Panrus i Sovjetëve» Veprat, vëllimi 44, Shtëpia Botuese «Syghroni Epohi», faqja 310.

{8}. Faqja zyrtare e Shërbimit të Aktivitetit të Jashtëm të BE-së https://eeas.europa.eu/headquarters/headquarters-homepage/83616/eu-military-operations-and-civilian-missions_en

{9}. Shiko deklaratat e Ministrit Rus të Mbrojtjes, S. Shoygu më dt.23/10/2021, https://tass.ru/

{10}. V.I. Lenin. Veprat në shqip, vëllimi 23 «Letër e hapur Boris Suvarinit», faqja 237, Botuar nga Shtëpia Botuese e Letërsisë Politike. Në greqisht, V.I. Lenin Veprat, vëllimi 30, faqja 265 Shtëpia Botuese «Sigxroni Epohi».      

{11}. Akademia e Shkencave të BRSS, Historia Botërore, Vëllimi Z2, Faqja.737 (rusisht Z, faqja 541.)